Nga data 9 deri më 15 shkurt, Shkodra do të përjetojë sërish magjinë e Karnevaleve, një nga festat më të vjetra të qytetit, e cila daton që prej vitit 1861. Për një javë me radhë, qyteti do të mbushet me ngjyra, muzikë, humor dhe spektakël, duke e kthyer qendrën e Shkodrës në një hapësirë festive për të gjitha moshat.
Hapja zyrtare e Karnevaleve do të bëhet më 9 shkurt, me aktivitete argëtuese në ambientet e Bashkisë Shkodër dhe ekspozitën e Karnevaleve përpara saj. Nga 10–13 shkurt, festa do të vijojë me shfaqje të shkollave në sheshin “Luigj Gurakuqi”, aktivitete për fëmijë, animatorë, lojëra dhe orkestrën shëtitëse në rrugët e qytetit.
Kulmi i aktiviteteve pritet më 13 dhe 14 shkurt, me spektakle dritash dhe mapping show, si dhe koncerte festive me emra të njohur të muzikës shkodrane. Më 13 shkurt do të performojë Bert Naraçi, ndërsa më 14 shkurt skena do t’i përkasë “3 Muskëtjerëve të Shkodrës”, Eduard Jubani, Bujar Qamili dhe Frederik Ndoci. Po atë mbrëmje zhvillohet edhe parada e karrove “Karnevale 2026”, një nga momentet më të veçanta të festës.
Karnevalet do të përmbyllen më 15 shkurt, me paradën e madhe festive, që nis nga sheshi “Luigj Gurakuqi”, dhe me ritualin simbolik të Djegies së Dordolecit, një traditë që shënon fundin e festës dhe përcjelljen e dimrit.
Me një program të pasur artistik dhe kulturor, Karnevalet e Shkodrës 2026 rikthejnë shpirtin e gëzimit dhe trashëgimisë, duke e kthyer qytetin në epiqendrën e festës dhe traditës shqiptare.
