Shkodra konfirmon rolin e saj si një nga qendrat më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore në vend, duke u renditur ndër sitet më të vizituara gjatë muajit janar 2026. Sipas të dhënave të publikuara nga ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, Parku Arkeologjik i Shkodrës është vizituar nga 3,475 vizitorë vendas dhe të huaj, duke u pozicionuar i dyti në rang kombëtar për këtë periudhë.

Në total, gjatë muajit janar, mbi 20 mijë vizitorë kanë frekuentuar sitet kulturore në Shqipëri, çka tregon një interes të qëndrueshëm për historinë dhe trashëgiminë kulturore edhe jashtë sezonit turistik. Vetëm muzetë kombëtarë kanë regjistruar 11,315 vizitorë, ndërsa parqet arkeologjike dhe kalatë kulturore kanë tërhequr mijëra të tjerë.

Pas Muzeut Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Krujë, që kryeson listën me 4,948 vizitorë, Shkodra renditet para Kalasë së Gjirokastrës, Muzeut Ikonografik “Onufri” në Berat dhe Parkut Arkeologjik të Butrintit, duke dëshmuar potencialin e saj të madh turistik dhe kulturor.

Ky interes i lartë për Parkun Arkeologjik të Shkodrës forcon më tej pozicionin e qytetit si një destinacion kyç për turizmin kulturor dhe historik në Shqipëri, duke e kthyer atë në një pikë referimi për vizitorët vendas dhe të huaj edhe gjatë muajve të dimrit.