Qendra për Popullsinë dhe Zhvillimin prezantoi raportin e monitorimit njëvjeçar mbi transparencën dhe llogaridhënien e Bashkisë Shkodër në lidhje me zërat e buxhetit vendor, me fokus të veçantë në menaxhimin e rreziqeve klimatike dhe ndjeshmërinë gjinore.
Sipas raportit, situata në Bashkinë Shkodër vlerësohet pozitive, megjithatë në të evidentohet nevoja për përmirësime të mëtejshme, veçanërisht në forcimin e llogaridhënies dhe rritjen e ndikimit të buxhetit në përballimin e sfidave klimatike.
Një nga rekomandimet kryesore lidhet me rritjen e pjesëmarrjes së vajzave dhe grave në konsultimet publike, si një element thelbësor për një proces vendimmarrës më gjithëpërfshirës dhe për politika buxhetore që reflektojnë realisht nevojat e komunitetit.
Raporti shërben si një instrument orientues për Bashkinë Shkodër, duke ofruar rekomandime konkrete për një planifikim buxhetor më të drejtë, transparent dhe të qëndrueshëm.
