Në ambientet e Bibliotekës Shkencore të Universitetit të Shkodrës u zhvillua seminari sensibilizues dhe informues mbi rëndësinë e mbrojtjes së ligatinave dhe ekosistemeve ujore, me fokus të veçantë në pasuritë natyrore që mbart zona e Shkodrës.
Aktiviteti u organizua nga Klubi studentor “Fryma e Natyrës”, në bashkëpunim me Këshillin Vendor Rinor, duke sjellë në vëmendje rolin që ligatinat kanë në ruajtjen e biodiversitetit, balancën ekologjike dhe të ardhmen mjedisore të rajonit.
Përmes diskutimeve dhe prezantimeve, u theksua nevoja për ndërgjegjësim dhe përfshirje më të madhe të të rinjve në mbrojtjen e natyrës.
Organizatorët nënvizuan se aktivitete të tilla synojnë të nxisin përgjegjësi qytetare dhe një qasje më aktive ndaj çështjeve mjedisore, duke e parë mbrojtjen e ligatinave si një investim për të ardhmen.
