Shkodra po hyn në javën e fundit të përgatitjeve për një nga ngjarjet më të mëdha festive të vitit. Bashkia Shkodër ka njoftuar se Super Karnavalet e Shkodrës do të zhvillohen nga e hëna, 9 shkurt, deri të dielën, 15 shkurt, duke e shndërruar qytetin në një skenë të hapur feste, ngjyrash dhe kreativiteti.

Për një javë të tërë, Shkodra do të vishet me shpirtin e karnavaleve përmes butaforive artistike, karrove alegorike, paradave plot energji, personazheve groteske dhe të animuara që dalin nga imagjinata. Programi përfshin gjithashtu video mapping, koncerte, performanca artistike dhe surpriza të shumta që do ta mbajnë qytetin në lëvizje, ditë e natë.

Sipas Bashkisë Shkodër, Karnavalet synojnë të ruajnë traditën karakteristike të qytetit, duke i dhënë njëkohësisht asaj një dimension më bashkëkohor, më spektakolar dhe më gjithëpërfshirës, duke e kthyer Shkodrën në një nga qendrat kryesore të festimeve në vend.

Super Karnavalet e Shkodrës pritet të tërheqin jo vetëm qytetarë, por edhe vizitorë nga mbarë vendi, duke promovuar kulturën, artin dhe gjallërinë karakteristike të qytetit verior.