Tregu i punës në vend po përballet me një mungesë të teknikëve të mesëm dhe punëtorëve të kualifikuar, një kërkesë që ende nuk po mbulohet nga sistemi i arsimit profesional. Një prej mësuesve të këtij sistemi thekson se edhe në rast se numri i nxënësve do të dyfishohej, nevojat e tregut do të vijonin të ishin më të larta.
Megjithatë, vitet e fundit vërehet një rritje e interesit të të rinjve për të ndjekur arsimin profesional, një trend pozitiv që është reflektuar edhe në shkollat profesionale, përfshirë shkollën pyjore, e cila ka regjistruar më shumë nxënës gjatë vitit të fundit.
Integrimi i shpejtë me tregun e punës mbetet avantazhi kryesor i arsimit profesional, duke e kthyer atë në një alternativë gjithnjë e më të rëndësishme për të rinjtë që synojnë punësim të sigurt dhe të menjëhershëm pas përfundimit të studimeve.
