Vllaznia ka regjistruar sot fitoren e pestë radhazi në kampionat, duke mundur Teutën 1-0 në transfertë dhe duke u ngjitur e vetme në krye të klasifikimit. Kuqeblutë e drejtuar nga Edi Martini u treguan cinikë, teksa shënuan që në minutën e 9-të me Malën golin e avantazhit, për të administruar më pas me qetësi rezultatin deri në fund të takimit.

Edhe pse durrsakët tentuan të zhvendosin lojën në gjysmëfushën kundërshtare, rastet e pastra përpara portës së Pohls ishin të pakta, me mbrojtjen shkodrane që kontrolloi mirë ndeshjen. Me këtë sukses, Vllaznia ngjitet në kuotën e 42 pikëve, duke krijuar një diferencë prej tre pikësh me ndjekëset Egnatia dhe Elbasani.

Takimi në Durrës u shoqërua edhe me tension, si në tribuna ashtu edhe në fushë. Tifozeritë e të dy skuadrave shkëmbyen ofendime që në start, ndërsa në përfundim pati momente nervozizmi gjatë festimeve të shkodranëve.

Një festim i Gurishtës pranë pankinës së Teutës solli reagime nga tribuna dhe një përplasje mes lojtarëve, por situata u qetësua shpejt. Kuqeblutë më pas u drejtuan drejt sektorit ku ndodheshin tifozët e tyre, duke festuar fitoren që i shkëput të vetëm në krye të renditjes.