Në lidhje me zakonet po japim ma poshtë disa të dhana që Zot. Kol Gurashi, plak 85 vjeç, pati mirësinë me na i përshkrue, zakone këto të ushtrueme kund 50–60 vjet ma parë këtu në Shkodër. Flasim për jetën e masës qytetare në përgjithësi tue lanë mbanesh jetën e shtresës së aristokracisë e të borgjezisë së naltë myslimane ose katolike.

Burrat, si pinin kafenë e mëngjesit, ishte zakon, dimnit, me hangër një trahana të ngrohtë ose ndonjë pulendër apo “kryelanë” (kryelare), ndërsa verës hanin simita me djathë a me “tamel” (qumësht). Mbas asaj ngranjeje, burrat dilnin në pazar ose shkonin në punën e tyne për me fitue jetesën. Gratë banin punët e shtëpisë. Këta përgjithësisht nuk përgatisnin gjellë për drekë, derisa meshkujt e tyne qëndronin gjithë ditën në pazar ose në punë. Gratë vetë hanin një drekë të thjeshtë: bukë e djathë, bukë e kos, ndonjë vezë të fërgueme etj.

Mbasi kryenin punët e brendshme të shtëpisë, vizitonin njena-tjetrën ndër fqinj ose uleshin me ba pëlhurë në tezgjah o me qendisë në gjergjef. Në dimën, nga ora tre mbas drekë e në verë, nga ora 6, nisnin të përgatisnin gjellën e mbramjes. Si kryheshin këta rangë, laheshin e ndërrroheshin për me pritë burrat kur ngjiteshin prej pazarit, o vinin prej pune. Këtë zakon, si katolikët, e kishin edhe myslimanët.

Burimi: Hamdi Bushati, Shkodra dhe motet – Traditë, ngjarje, njerëz