Pak minuta para se ora të shkonte 21:00, më 2 mars 1925, Luigj Gurakuqi u kërkoi leje të largohej miqve të tij, me të cilët po darkonte në hotel “Cavour”, në Bari. Dan Hasani dhe Riza Dani me bashkëshorten e tij, Makbulen, nuk u habitën shumë për largimin e beftë, teksa dëgjuan sqarimin se do të shkonte në shtëpinë e mikut të tij, Sotirit, që sipas Gurakuqit, i kishte premtuar se bijës t’i bënte dhuratë një kukull.

Por teksa vuri këmbën në pragun e portës së hotelit, Baltjon Stambolla, djali i tezes së tij, i doli papritur përpara dhe pa i folur e qëlloi me revolver disa herë në trup, duke i shkaktuar plagë të rënda. Miqtë me të cilët kishte darkuar dhe persona të tjerë aty pranë, rendën ta ndihmonin, por qe e kotë. Luigj Gurakuqi ndërroi jetë vetëm disa minuta pas atentatit.

Skenën e vrasjes e sjell në kujtimet e veta Sejfi Vllamasi:

“Nuk qëndroi gjatë aty, nga ora 21:00 doli nga kafeneja, kur papritmas ndjeu krismat e një revolveri. Gjithçka ndodhi kaq shpejt e pa kuptuar, sa ai as nuk pati kohë të thoshte asgjë. Ra përmbys si një lis i këputur në mes, i mbytur në një pellg gjaku. Një nga tre plumbat e kishte përshkruar në zemër, e porsa e hipën në karrocë, që ta çonin në spital, ajo zemër e madhe pushoi së rrahuri.”

Me vrasjen e Luigj Gurakuqit, Ahmet Zogu tashmë kryeministër për herë të dytë, nuk kishte frikë më askënd. Vetëm 3 muaj pas triumfit të tij mbi Tiranë dhe dëbimit të qeverisë së Fan Nolit, më 24 dhjetor 1924, vrasja e Luigj Gurakuqit përbënte eliminimin e një kundërshtari shumë herë më të rrezikshëm në planin politik, aq sa teksa mori vesh lajmin për vrasjen e tij, gostiti disa miq të huaj dhe u tha:

“Tash nuk drue ma kënd”

Marrë nga libri “100 vrasjet më të bujshme në historinë e shtetit shqiptar”, Roland Qafoku