Këtë të shtunë, në mjediset e Universitetit “Luigj Gurakuqi” nisi punimet e saj asambleja e përgjithshme e IPA Skodrini Region, e cila kishte në fokus zgjedhjen e kryetarit të ri rajonal, si dhe vlerësimin e kontributit të anëtarëve ndër vite.

Presidenti i IPA Albania, Skënder Doda, theksoi rolin e rëndësishëm të Shkodrës në aktivitetet e organizatës, duke e cilësuar atë si motorin kryesor të IPA Albania, falë angazhimit dhe pjesëmarrjes aktive në nisma profesionale dhe sociale.

Në këtë aktivitet ishte i pranishëm edhe zëvendëskryetari i Bashkisë Shkodër, Alban Preka, i cili vlerësoi punën dhe kontributin e IPA Albania, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit mes institucioneve vendore dhe organizatave që promovojnë solidaritetin, profesionalizmin dhe shërbimin ndaj komunitetit.

Në këtë takim, u shpërndanë edhe çertifikata mirënjohjeje për anëtarët dhe kontribuuesit, si vlerësim për angazhimin dhe rolin e tyre në forcimin e aktivitetit të IPA Skodrini Region. 

Saimir Rrustemi është zgjedhur kryetar i ri i IPA Skodrini pas zhvillimit të asamblesë së shoqatës. Ai zëvendëson në këtë detyrë Edra Becin, e cila është transferuar në Tiranë.