Pak figura i kanë dhënë muzikës shqiptare aq shumë sa Tish Daija, kompozitor dhe pedagog, një nga themeluesit e muzikës profesioniste shqiptare dhe autori i baletit të parë shqiptar, “Halili dhe Hajria”.

Tish Daija u dallua për frymëzimin nga motivet shqiptare, duke krijuar këngë që u bënë pjesë e fondit të artë të muzikës sonë, si “Me lule të bukura”, “Natën vonë”, “Flakë e borë” etj. Këto krijime mbeten edhe sot ndër më të më të dashurat për publikun. Figura si Tish Daija kanë frymëzuar breza të tërë muzikantësh.

Megjithatë, pavarësisht këtij kontributi të jashtëzakonshëm, 100-vjetori i lindjes së kompozitorit Tish Daija kaloi pa një veprimtari përkujtimore nga institucionet kulturore të Shkodrës, një mungesë që e la përvjetorin pa jehonën që meritonte.

Jeta dhe veprimtaria

Më 30 janar të vititi 1926 lindi Tish Daija (1926-2003), kompozitor, Artist i Popullit, akademik, anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

Tish Daija lindi në Shkodër. Afrimi i tij me muzikën nisi në vitet e fëmijërisë: 6 vjeç këndonte në korin françeskan, më pas ishte anëtar i orkestrës frymore të Prenk Jakovës. Ndoqi studimet e larta dhe u diplomua për kompozicion në Konservatorin “P. I. Çajkovski” (Moskë, 1951–1956). Punoi në Ministrinë e Arsimit e të Kulturës dhe si udhëheqës artistik i Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore (1962–1980).

Fillimet kompozicionale i pati me disa këngë me stil popullor (“Çike, o mori çike”, “Me lule t’bukra” etj.) të cilat ndikoheshin nga muzika qytetare shkodrane. Në gjysmën e dytë të viteve ’50 krijimtaria e tij njohu zhvillime të mirëfillta profesioniste me vepra instrumentale dhe orkestrale, si Kuarteti i parë i harqeve (1955) dhe Suita orkestrale “Një ditë pikniku” (1955). Me operetën “Lejlaja” (1957) dhe operën “Pranvera” (1960) renditet mes krijuesve të parë të këtyre gjinive skenike; me baletin “Halili dhe Hajrija” (1962) u bë krijuesi i baletit të parë shqiptar.

Tish Daija kompozoi gati në të gjitha format e gjinitë muzikore, madje edhe muzikë filmi. Si një ndër përfaqësuesit më origjinalë të këngës shqiptare, Tish Daija shfaqi prirje të vërteta emancipuese për kohën me këngët “Erë pranverore”, “Natën vonë” etj.

Së bashku me Çesk Zadenë krijuan klasën e kompozicionit në Konservatorin Shtetëror të Tiranës.