Kevin Dodaj është zyrtarisht lojtar i Vllaznisë. Klubi shkodran ka bërë publike marrëveshjen me sulmuesin, i cili rikthehet në Shkodër në formë huazimi.

Dodaj vjen nga CSKA Sofia, ku në pjesën e parë të sezonit nuk pati hapësirat e duhura për të marrë minutat e nevojshme. Huazimi i tij te Vllaznia u bë i mundur edhe për shkak të vendimit të klubit bullgar, i cili kishte përcaktuar këtë destinacion si opsion të vetëm, në përputhje me rregulloret e FIFA-s.

Ky është afrimi i parë i kuqebluve në këtë merkato dimërore, në një moment kur objektivi i skuadrës mbetet titulli kampion. Rikthimi i Dodajt pritet të sjellë më shumë alternativë dhe forcë në repartin ofensiv, në një fazë vendimtare të sezonit.

Merkato e Vllaznisë u zhbllokua vetëm një ditë më parë zyrtarisht nga FIFA, çka i hapi rrugë afrimeve të reja. Drejtuesit e klubit kanë bërë të ditur se afrimi i Dodajt është vetëm fillimi, ndërsa në ditët në vijim priten edhe përforcime të tjera.