Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, ka reaguar lidhur me vendosjen e statujës së Mbretëreshës Teutë në ballkonin panoramik mes Shëngjinit dhe Velipojës, duke e cilësuar këtë vendim si një zgjedhje me vlerë të shtuar kulturore dhe historike.
Sipas Becit, ky nuk është një vendim territorial, por një qasje që shkon përtej kufijve administrativë, duke lartësuar figurën e Mbretëreshës Teutë dhe historinë që ajo përfaqëson. Pozicionimi i statujës, sipas tij, i jep veprës kuptimin e plotë simbolik, pasi nga kjo pikë panoramike vështrimi shtrihet mbi Adriatik, nga Ulqini deri në Durrës, duke e vendosur figurën e Mbretëreshës në hapësirën që i takon historikisht: detit dhe qyteteve bregdetare.
Kryebashkiaku i Shkodrës vlerëson kontributin e artistit Julian Muçollari për realizimin e veprës, si dhe rolin e gazetarit Marin Mema, në cilësinë e drejtuesit të fondacionit “Shqipëria tjetër”, për mundësimin e këtij projekti. Ai falënderon gjithashtu kryetarin e Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, për mirëkuptimin dhe dakordësinë e treguar në këtë proces.
Në reagimin e tij, Benet Beci thekson se angazhimi dhe reagimi i qytetarëve ndaj historisë dhe simboleve kombëtare është një shenjë pozitive, duke nënvizuar se vetëm duke parë më larg, me qartësi dhe mirëkuptim, mund të ndërtohet më shumë vlerë për trashëgiminë kulturore dhe për vendin.
