Arsimi mbetet një nga prioritetet kryesore të Bashkisë Shkodër, e cila, pavarësisht çdo tentative për bllokim, vijon pa u ndalur investimet në këtë sektor jetik. Krahas rikualifikimeve të plota të shkollave dhe kopshteve, vëmendje e veçantë po i kushtohet edhe përdorimit të energjisë së rinovueshme në institucionet arsimore.
Në bashkëpunim me donatorë, Bashkia Shkodër ka realizuar vendosjen e paneleve diellore në 7 shkolla dhe 2 kopshte të qytetit. Konkretisht, panelet janë instaluar në shkollat “Jordan Misja”, “Oso Kuka”, “Tring Smajli”, “Dëshmorët e Rrencit”, “Edit Durham”, “Dëshmorët e Prishtinës”, si dhe në kopshtet “Bep Tusha” dhe “Ngjyrat”.
Drejtori i Përgjithshëm i Planifikimit në Bashkinë Shkodër, Bekim Mema, theksoi se këto investime, ndonëse me vlerë financiare modeste, kanë një ndikim të drejtpërdrejtë dhe afatgjatë në uljen e kostove të energjisë për institucionet arsimore, si dhe në rritjen e ndërgjegjësimit për përdorimin e burimeve të pastra energjetike.
Në vijim të këtij angazhimi, Bashkia Shkodër është shpallur fituese e projektit “Sunny School”, përmes të cilit do të realizohet instalimi i paneleve diellore në shkollat “Ndre Mjeda” dhe “Salo Halili”, me një vlerë investimi prej 21 mijë eurosh. Paralelisht, me bashkëfinancim të bashkisë, panele diellore do të vendosen edhe në shkollën “Ndoc Mazi”.
Bashkia Shkodër vijon të investojë në arsim jo vetëm për përmirësimin e kushteve fizike në shkolla dhe kopshte, por edhe për ndërtimin e një kulture të qëndrueshme energjetike, duke edukuar brezat e ardhshëm me vlera të përgjegjshme ndaj mjedisit.
