Vllaznia ka regjistruar një start mbresëlënës të vitit, duke siguruar katër fitore radhazi në katër përballjet e para të fillimsezonit, një në Kupën e Shqipërisë dhe tre në kampionatin “Abissnet Superiore”.

Ecuria pozitive e skuadrës shkodrane vlerësohet si një sinjal i fortë për ambiciet e saj, megjithatë analisti i sportit Fatmir Lugji thekson se për të mbajtur ritmin deri në fund të sezonit, ekipi ka nevojë për përforcime.

Sipas Lugjit, një nga aspektet që kërkon ndërhyrje është stabiliteti i lojës brenda 90 minutave, pasi luhatjet në performancë mund të kushtojnë në ndeshje vendimtare.

Ndërkohë, sfida e radhës për Vllazninë në kampionat është në transfertë. Kuqeblutë do të përballen me Teutën në stadiumin “Niko Dovana”, më 1 shkurt, në orën 16:30, në një duel që pritet të jetë vendimtar për vijimin e garës në krye të renditjes.