Vllaznia në futboll për vajza po përjeton një tjetër sezon pozitiv, duke konfirmuar statusin e saj si skuadra dominuese e këtij sporti në vend. Presidenti i KFF Vllaznia, Lazër Matija, vlerëson ecurinë e ekipit duke e cilësuar atë si një rrugëtim të suksesshëm që nis nga paraqitjet në kupat e Europës dhe po vijon në kampionat e kupë.

Matija thekson se ekipi ka vuajtur mungesën e një rivali të denjë, për shkak të diferencës së ndjeshme në cilësi me skuadrat që e ndjekin në kampionat.

Ndërkohë, Kupa e Shqipërisë për vajza ka hyrë në fazën më vendimtare të saj. Katër skuadrat më të mira të këtij edicioni Vllaznia, Teuta, Gramshi dhe Apolonia kanë siguruar kalimin në gjysmëfinale, duke qenë tashmë vetëm dy hapa larg trofeut. Teuta është kundërshtari i radhës në kupë ndërsa Vllaznia synon të vijojë rrugëtimin drejt një tjetër trofeu, duke konfirmuar ambiciet dhe traditën fituese në futbollin e vajzave.