Nga të ardhurat e siguruara përmes nismës Shtëpiza Rinore, të rinjtë e ACT for Shkodra ndërmorën një gjest domethënës solidariteti, duke ardhur në ndihmë të një nëne në vështirësi të thellë ekonomike me dy fëmijë të mitur, në fshatin Dragoç të njësisë administrative Postribë.

Ndihma e ofruar synon lehtësimin e kushteve të vështira të jetesës së familjes dhe përfaqëson një shembull konkret të angazhimit social të të rinjve në komunitet.

Ky gjest human është shoqëruar edhe me mbështetje institucionale. Bashkia Shkodër ka rifutur familjen në skemën e ndihmës ekonomike, ka përfshirë fëmijët në programet sociale dhe, në bashkëpunim me donatorë dhe organizata partnere, po punon për të garantuar ndihmë të mëtejshme për përmirësimin e kushteve të banimit.

Nisma vlerësohet si një shembull pozitiv i bashkëpunimit mes të rinjve, institucioneve vendore dhe partnerëve socialë, duke dëshmuar se solidariteti merr vlerë të plotë kur shoqërohet me veprime të qëndrueshme dhe zgjidhje afatgjata për familjet në nevojë.