Vetëm një muaj pas rihapjes së saj, Kinema Republika në Shkodër është shndërruar në kinemanë më të frekuentuar në vend, duke regjistruar numrin më të lartë të biletave të shitura në nivel kombëtar.

E rijetëzuar dhe e menaxhuar nga Bashkia Shkodër, Kinema Republika ka rikthyer qytetin në hartën e premierave ndërkombëtare, duke dëshmuar se publiku shkodran di të vlerësojë dhe mbështesë kinemanë moderne dhe cilësore.

Përgjegjësja e Kinema Republika, Egena Zymeri, u shpreh se interesimi i lartë dhe shifrat e arritura vetëm një muaj nga hapja janë tregues i qartë i suksesit të këtij projekti kulturor.

Premierat globale, sallat e mbushura çdo ditë, rekordi i frekuentimit për filmat për fëmijë, si edhe shfaqja për herë të parë e filmit shqiptar në një hapësirë me standarde ndërkombëtare, e kanë kthyer Kinema Republika në një pikë të rëndësishme referimi kulturore.

E pajisur me projektor 100% LASER dhe sisteme audio të gjeneratës së fundit, Kinema Republika ofron sot cilësi maksimale audio dhe video, duke u shndërruar në një destinacion kulturor dhe argëtues me rëndësi kombëtare.