Kryetari i Bashkisë Shkodër, së bashku me drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ami Kozeli, kanë inspektuar nga afër punimet që po zhvillohen në kantierin e Bahçallëkut, një nga akset më të rëndësishme hyrëse të qytetit.

Gjatë inspektimit në terren, ata u takuan me ekipin e ekspertëve dhe inxhinierëve, duke ndjekur ecurinë e punimeve dhe duke kërkuar rritjen e ritmeve të punës dhe ndërhyrje më të përqendruara.

Sipas kryetarit të Bashkisë Shkodër, është kërkuar përshpejtimi i sistemimit të rrugës hyrëse, nga Harku i Bërdicës deri te Ura e Bunës, me qëllim përmirësimin e qarkullimit dhe rritjen e sigurisë për qytetarët.

Punimet, sipas njoftimit zyrtar, do të vijojnë me intensitet maksimal, për ta shndërruar këtë aks kyç hyrës në Shkodër në një portë dinjitoze infrastrukturore, në përputhje me standardet e një qyteti që synon zhvillim dhe modernizim të qëndrueshëm.