Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ka deklaruar se 50% e zërave të buxhetit të mbrojtjes janë të dedikuara për investime, ku përfshihet edhe blerja e armatimeve moderne për Forcat e Armatosura Shqiptare.

Sipas tij, ushtria shqiptare do të pajiset me raketa Javelin dhe dronë nga partnerët strategjikë amerikanë dhe britanikë, ndërsa nga Izraeli parashikohet blerja e artilerisë së lëvizshme, topave, mortajave, kamionëve ushtarakë dhe dronëve.

Ministri Vengu theksoi gjithashtu se kompania ushtarake shqiptare KAYO po bashkëpunon me partnerë izraelitë për rimëkëmbjen e prodhimit të armatimeve në Shqipëri, duke e konsideruar këtë një hap strategjik për sigurinë kombëtare.

I pyetur mbi pozicionimin e Shqipërisë në një kohë tensionesh mes SHBA-së, Bashkimit Europian dhe NATO-s, Vengu u shpreh prerë:

“Nuk jemi në mes të Washingtonit dhe Brukselit, jemi brenda Washingtonit dhe brenda Brukselit.”

Sa i përket shqetësimeve të Beogradit lidhur me marrëveshjen trepalëshe të bashkëpunimit në mbrojtje mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë, ministri bëri të ditur se Serbia është ftuar të bashkohet, por ka refuzuar:

“Serbia të na bashkohet, siç e mendoni kemi marrë përgjigje refuzuese. Kemi avancuar me marrëveshje trepalëshe”, tha Vengu.

Në lidhje me bazën e Pashalimanit, ministri theksoi se Shqipëria i qëndron marrëveshjes së vitit 1992 me Turqinë.