Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, zhvilloi një dëgjesë me fermerët në Shkodër, në kuadër të turit kombëtar për hartimin e Skemës Kombëtare të Mbështetjes 2026.
Në takimin e zhvilluar në Shkodër ishte i pranishëm edhe Kryetari i Bashkisë, Benet Beci, i cili theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes pushtetit vendor dhe Ministrisë së Bujqësisë, duke u shprehur se vetëm përmes një koordinimi të ngushtë mund të garantohet një mbështetje e qëndrueshme për fermerët dhe zhvillimi i zinxhirit të prodhimit bujqësor.
Gjatë dëgjesës, ministri Andis Salla vuri theksin te dialogu i drejtpërdrejtë me fermerët, duke e konsideruar atë si një mjet kyç për identifikimin e problematikave reale në terren dhe për ndërtimin e politikave mbështetëse më efikase.
Salla nënvizoi se Skema Kombëtare 2026 do të bazohet në parime të qarta, transparente dhe të barabarta, me synimin që çdo fermer të ketë akses të drejtë në mbështetjen financiare.
Turi i dëgjesave do të vijojë edhe në qarqe të tjera të vendit, me qëllim përfshirjen sa më të gjerë të fermerëve në procesin e hartimit të Skemës Kombëtare 2026, në përputhje me standardet dhe praktikat e Bashkimit Europian.
