Shqipëria vijon të forcojë pozitat e saj si një destinacion gjithnjë e më i preferuar për vizitorët e huaj. Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti i Statistikave (INSTAT), numri i turistëve të huaj që vizituan vendin gjatë muajit dhjetor 2025 u rrit me 6,8 % krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2024.

Të dhënat e INSTAT vulosin edhe bilancin vjetor të turizmit: gjatë vitit 2025, Shqipëria u vizitua nga 12,466,038 shtetas të huaj, duke shënuar një rritje vjetore prej 6,6 % në krahasim me vitin pararendës. Kjo rritje dëshmon se interesi për Shqipërinë si destinacion turistik dhe tranzit nuk ka qenë i përkohshëm, por një trend në konsolidim.

Vetëm gjatë muajit dhjetor, në territorin e vendit kanë hyrë 698.742 shtetas të huaj, ndërsa daljet e tyre kanë arritur në 638.680 persona, me një rritje prej 5,5 % krahasuar me dhjetorin e vitit 2024.

Sipas INSTAT, rritja e flukseve lidhet me shtimin e udhëtimeve ndërkombëtare, kthimet sezonale të emigrantëve si dhe promovimin e Shqipërisë si destinacion turistik gjithëvjetor.

Po ashtu, gjatë muajit dhjetor 2025 janë regjistruar rritje edhe në lëvizjen e përgjithshme të shtetasve shqiptarë dhe të huaj. Në total, në Shqipëri kanë hyrë 1.542.889 persona, ose 7,0 % më shumë krahasuar me dhjetorin 2024, ndërsa daljet nga territori i vendit kanë arritur në 1.353.137 persona, me një rritje prej 8,1 %.

Hyrjet e shtetasve shqiptarë gjatë dhjetorit 2025 janë regjistruar në 844.147 persona, duke shënuar një rritje prej 7,1 % krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Ndërkohë, nga Shqipëria kanë dalë 714.457 shtetas shqiptarë, ose 10,6 % më shumë se në dhjetor 2024.

Të dhënat konfirmojnë se Shqipëria po konsolidohet gjithnjë e më shumë si një destinacion i rëndësishëm turistik në rajon, me prurje të qëndrueshme vizitorësh përgjatë gjithë vitit.