Një mbrëmje gala kushtuar punës, vizionit dhe përkushtimit të aktorëve që po kontribuojnë në zhvillimin e turizmit në Shkodër u zhvillua në ambientet e Teatrit “Migjeni”.

“Shkodra Tourism Awards”, një nismë e Gentian Ferhatit, ekspert i marketingut, medias dhe zhvillimit të imazhit turistik, u organizua me mbështetjen e Bashkisë Shkodër, duke sjellë në qendër të vëmendjes rolin e sipërmarrjes, inovacionit dhe bashkëpunimit institucional në forcimin e turizmit lokal.

Gjatë mbrëmjes u vlerësuan biznese dhe iniciativa që operojnë në fusha të ndryshme si turizmi, hoteleria, kulinaria, aventura dhe inovacioni, hallka thelbësore të një qyteti që di të mirëpresë vizitorët dhe të ofrojë cilësi e eksperienca autentike.

Një moment i veçantë i mbrëmjes ishte ndarja e titullit të mirënjohjes për Universitetin e Shkodrës. Rektori Tonin Gjuraj vlerësoi iniciativën, duke theksuar se Shkodra ka hyrë në një fazë të re të zhvillimit të qëndrueshëm turistik, ku roli i dijes dhe formimit akademik është thelbësor.

Në total u ndanë 30 çmime, si shenjë mirënjohjeje për sipërmarrësit që investojnë me pasion, profesionistët që vendosin standarde të reja dhe idetë inovative që e bëjnë Shkodrën më të vizitueshme, më të pëlqyeshme dhe më konkurruese në hartën turistike të vendit.