Në një atmosferë të mbushur me emocione dhe interes të veçantë nga publiku, filmi shqiptar “ADN” pati premierën e tij zyrtare edhe në Kinema “Republika” në Shkodër.
“ADN” vjen si një produksion që bashkon artin dhe ndjeshmërinë, duke trajtuar me guxim tema të thella të realitetit shqiptar si identiteti, familja, ndarja dhe rikthimi tek rrënjët. Një histori që flet për plagët, kujtesën dhe lidhjet e pashkëputshme njerëzore.
Producentet dhe aktoret kryesore të filmit, Erjola Doçi dhe Rike Roçi, ndajnë përvojën e ndërtimit të personazheve dhe forcën e mesazhit që përcjell ky film.
Regjisori Lindar Kaja ndalet te rrugëtimi i filmit dhe sfidat e realizimit. Pjesë e kastit të filmit është edhe aktori shkodran Gazmir Mehmeti, i cili interpreton një rol joprotagonist, por me peshë në zhvillimin e rrëfimit.
Mes duartrokitjeve dhe emocioneve të publikut, “ADN” konfirmoi se kinematografia shqiptare po rritet dhe po pasurohet me projekte që mbartin mesazhe të rëndësishme.
