Shkolla Teknike Pyjore “Kolë Margjini” në Shkodër është një nga institucionet më të rëndësishme të arsimit profesional në qytet, duke ofruar formim konkret për rreth 120 nxënës. Shkolla ofron dy drejtime kryesore studimi, Pyje dhe Përpunim Druri, ndërsa praktika profesionale përbën një nga shtyllat kryesore të përgatitjes së të rinjve për tregun e punës.
Një nga nxënësit përfitues të këtij programi është edhe Eltion Kola, nga fshati Bardhaj, i cili ndjek vitin e dytë të studimeve dhe aktualisht po kryen orët e praktikës profesionale pranë një biznesi në Shkodër. Ai shprehet se kjo përvojë është shumë e vlefshme për të ardhmen e tij profesionale.
Sipërmarrësit e shohin si vlerë praninë e praktikantëve. Bashkëpunimi me shkollën profesionale sjell përfitime të ndërsjellta edhe për ta.
Në vitet e fundit, avantazhet që ofron arsimi profesional, veçanërisht lidhja e drejtpërdrejtë me tregun e punës, kanë rritur ndjeshëm interesin e të rinjve shkodranë për këto shkolla, duke i kthyer ato në një alternativë gjithnjë e më të kërkuar për ndërtimin e një të ardhmeje të sigurt profesionale.
