Qendra Kulturore për Fëmijë “Kujtim Alija” mirëpriti një ekspozitë pikture me punime të nxënësve të talentuar të shkollës “Tringë Smajli” duke sjellë në vëmendje krijimtarinë dhe imagjinatën e fëmijëve përmes artit pamor. Aktiviteti shërbeu si një hapësirë prezantimi për punimet artistike të nxënësve nga fshati Grudë e Re, ku ngjyrat dhe format pasqyronin botën e brendshme, ndjeshmërinë dhe talentin e tyre krijues.
Në këtë aktivitet ishte i pranishëm edhe Hasan Muça, Drejtor i DRAP Lezhë, i cili theksoi rëndësinë e nxitjes dhe mbështetjes së talenteve të reja që në bankat e shkollës. Nga ana e saj, Orjeta Kelaj, Drejtore e QKF “Kujtim Alija”, vlerësoi bashkëpunimin me institucionet arsimore dhe rolin që qendra luan në promovimin e artit dhe kulturës tek fëmijët.
Disa nga protagonistët e vegjël ndanë emocionet dhe kënaqësinë e tyre për punimet e ekspozuara. Në përfundim të aktivitetit, nxënësit e talentuar u vlerësuan me çertifikata, si një stimul dhe motivim për të vijuar rrugëtimin e tyre artistik.
