Ekipi i volejbollit për meshkuj i Universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës po zhvillon një paraqitje mjaft pozitive në Kampionatin Universitar të Volejbollit, aktivitet që po organizohet në Tiranë nga Federata Shqiptare e Sportit Universitar. Nën drejtimin e trajnerit të njohur të Vllaznisë, njëkohësisht pedagog në Departamentin e Sportit pranë këtij universiteti, Artan Kalaja, shkodranët kanë siguruar kualifikimin në fazën gjysmëfinale.
Në këtë kompeticion marrin pjesë 30 institucione të arsimit të lartë nga e gjithë Shqipëria, ndërsa ndeshjet po zhvillohen në Pallatin e Sportit “Farie Hoti” në kryeqytet. Universiteti “Luigj Gurakuqi” ka kaluar me sukses dy përballjet e para, duke konfirmuar objektivat e tij për këtë edicion.
Gjysmëfinalet e Kampionatit Universitar të Volejbollit për meshkuj do të luhen më 21 janar, ndërsa Universiteti “Luigj Gurakuqi” mbetet një nga pretendentët kryesorë për titull.
