Vllaznia e ka nisur vitin 2026 me këmbën e mbarë, duke dhënë sinjale pozitive si në Kupën e Shqipërisë ashtu edhe në kampionat. Kuqeblutë siguruan kalimin në çerekfinalet e Kupës pas fitores ndaj Pogradecit, ndërsa në Abissnet Superiore arritën një sukses të rëndësishëm përballë kampionëve në fuqi të Egnatias.

Analisti i sportit Apollon Haxhi, në një intervistë për RTSH, vlerësoi pozitivisht ecurinë e skuadrës në nisje të këtij viti, duke theksuar se Vllaznia po shfaq stabilitet, organizim dhe rritje në lojë, elementë që sipas tij japin besim për vazhdimësinë e sezonit.

Sipas Haxhit, sfida e radhës në kampionat nuk do të jetë aspak e lehtë, pasi Vllaznia do të përballet me Dinamo City, një rival direkt në luftën për zonat e larta të renditjes. Dy skuadrat ndodhen me pikë të barabarta, në vendin e tretë dhe të katërt, çka e bën përballjen edhe më të fortë.

Kryesfida e javës së 20-të të Abissnet Superiore, Dinamo City – Vllaznia, do të luhet më 19 janar në stadiumin “Air Albania”, në orën 19:30, në një duel që pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në luftën për titull.