Presidenti i KFF Vllaznia për vajza, Lazer Matija, i zgjedhur pak ditë më parë kryetar i Shoqatës Rajonale të Futbollit Shkodër, ka folur për RTSH mbi prioritetet e mandatit të tij të ri katërvjeçar.
Në cilësinë e kryetarit të SHRF Shkodër, Matija thekson se angazhimi i tij do të fokusohet në vazhdimin e projekteve ekzistuese dhe rritjen e përfshirjes së të rinjve në futboll, duke e konsideruar bazën si element kyç për zhvillimin afatgjatë të këtij sporti.
Një nga sfidat kryesore që mbetet për futbollin në qarkun e Shkodrës, sipas Matisë, është infrastruktura sportive, e cila kërkon investime dhe vëmendje të vazhdueshme për të garantuar kushte më të mira stërvitore dhe zhvillimi për ekipet dhe akademitë.
Lazer Matija u zgjodh kryetar i Shoqatës Rajonale të Futbollit Shkodër me 27 vota pro dhe asnjë kundër, duke fituar besimin unanim për të drejtuar këtë institucion edhe për katër vitet e ardhshme.
