Vllaznia e ka nisur me fitore vitin e ri duke mposhtur 1-0 Egnatian në “Loro Boriçi”, në ndeshjen e javës së 19-të të “Abissnet Superiore” që erdhi për shikuesit në ekranin e RTSH Sport.

Një ndeshje e luftuar nga të dyja skuadrat ku diferencën e bëri Kallaku me një gjuajtje të bukur pa u mbushur gjysmë ore lojë, për ti dhënë formacionit kuqeblu tri pikë mjaft të rëndësishme, si për moralin ashtu dhe për klasifikimin.

Rrogozhinasit arritën të gjejnë golin e barazimit me anë të Buriç në pjesën e dytë, por u anulua për një pozicion jashtë loje të Albanese, që sipas gjyqtarit bllokoi pamjen e portierit të Vllaznisë.

Me këtë fitore skuadra shkodrane ngjitet në kuotën e 33 pikëve, përkohësisht në vendin e tretë. Egnatia mbetet në vendin e parë me 37 pikë.

Reagimet pas ndeshjes

Pas fitores së rëndësishme ndaj Egnatias, trajneri i Vllaznisë, Edi Martini, vlerësoi paraqitjen e skuadrës dhe theksoi se kuqeblutë po shfaqin një formë gjithnjë e më të mirë nga ndeshja në ndeshje. Sipas teknikut shkodran, grupi është i plotë dhe po funksionon si një njësi e konsoliduar, ndërsa konfirmoi se merkatoja tashmë është zhbllokuar dhe klubi po synon ndonjë përforcim të mundshëm.

Nga ana tjetër, trajneri i Egnatias, Edlir Tetova, shprehu pakënaqësi për arbitrimin e ndeshjes, duke lënë të kuptohet se disa vendime të gjyqtarëve kanë ndikuar në ecurinë e takimit.

Autori i golit të fitores, Sherif Kallaku, pas përfundimit të sfidës, u shpreh i emocionuar për realizimin dhe ia dedikoi golin vajzës së tij dhe bashkëshortes, duke e cilësuar këtë moment si një prej më të veçantëve të sezonit.

Pas këtij suksesi, Vllaznia e zhvendos vëmendjen te sfida e radhës, ku kuqeblutë do të udhëtojnë në transfertë për t’u përballur me Dinamo City, në një tjetër duel të rëndësishëm për vazhdimësinë e kampionatit.