Në kuadër të projektit ndërkombëtar READ (Research Expertise from the Academic Diaspora) dhe në bashkëpunim me Departamentin e Historisë të Universitetit “Luigj Gurakuqi”, u zhvillua në Bibliotekën Shkencore një bisedë e hapur akademike me fokus temën “Shqipëria, historia, politika dhe Lufta e Ftohtë”.

Aktiviteti solli në vëmendje nevojën për rishikim kritik të historisë politike të Shqipërisë, përmes qasjeve të reja kërkimore dhe debatit akademik. Të ftuar në këtë bisedë ishin Dr. Elidor Mëhilli, studiues pranë City University of New York (SHBA), dhe Dr. Noela Mahmutaj, pedagoge në Universitetin e Tiranës.

Gjatë diskutimit u trajtuan çështje që lidhen me pozicionimin e Shqipërisë gjatë Luftës së Ftohtë, politikën e izolimit, si edhe mënyrën se si kjo periudhë është interpretuar ndër vite, duke theksuar rëndësinë e qasjes shkencore të çliruar nga narrativat ideologjike.

Pjesë e debatit u bënë edhe studentë dhe pedagogë, të cilët u përfshinë aktivisht në diskutime, duke e kthyer aktivitetin në një hapësirë reflektimi dhe dialogu akademik mbi të shkuarën dhe ndikimin e saj në shoqërinë shqiptare sot.