Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” nisi vitin 2026 me një aktivitet të veçantë kulturor, duke inauguruar Kub France Shkodër, një hapësirë e re digjitale që shënon një kapitull të ri në bashkëpunimin kulturor mes Francës dhe Shqipërisë.

Kjo nismë realizohet në kuadër të projektit strategjik KitKubiK, e drejtuar nga KubFranceTirana, operator i Ambasadës Franceze në Shqipëri, në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit dhe Muzeun “Marubi”. Hapësira e re synon të sjellë forma bashkëkohore të përjetimit të artit dhe trashëgimisë kulturore përmes teknologjisë.

“Ky projekt synon të forcojë bashkëpunimin digjital mes Francës dhe Shqipërisë përmes përvojave të tilla kulturore në të cilin të pranishmit mund ta përjetojnë përmes paisjeve të dedikuara për to. Ato shërbejnë si një urë lidhëse mes trashëgimisë franceze dhe shqiptare. Projekti ofron qasje në mbi 3200 vepra arti të digjitalizuara,” u shpreh ambasadorja e Francës, Catherine Suard.

Për herë të parë në një muze në Shqipëri, vizitorët kanë mundësi të eksplorojnë përvoja 3D përmes realitetit virtual e cila ofron akses në mijëra vepra arti të digjitalizuara nga institucione prestigjioze ndërkombëtare, si edhe përmbajtje të kuruara nga arti dhe trashëgimia franceze.