“Shkodra ka nevojë të ndërtojë një rrjet të ri muzesh që i flasin më mirë vizitorëve dhe forcojnë ofertën kulturore të qytetit,” kështu deklaroi Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja gjatë vizitës në këtë qytet.
Në takimin me kryebashkiakun Benet Beci, ministri u ndal edhe te përgatitjet për sezonin turistik veror ku u diskutua potenciali turistik i Shkodrës, veçanërisht menaxhimi i plazheve dhe i vijës bregdetare.
Sipas Gonxhes, Bashkia Shkodër administron mbi 215 mijë metra katrorë plazh, nga të cilat një pjesë e madhe janë hapësira të lira, duke krijuar mundësi për projekte që rrisin cilësinë e shërbimeve në interes të publikut.
Ministri theksoi nevojën për rregulla të qarta në përdorimin e plazheve, monitorim dhe pastrim të vazhdueshëm, kontroll të çmimeve, si dhe garantimin e sigurisë për pushuesit përmes forcimit të Policisë së Bregdetit dhe çertifikimit të rojeve bregdetare.
