Shorti i hedhur këtë të martë në orën 14:30 ka përcaktuar përballjet e çerekfinaleve të Kupës së Shqipërisë, me Vllazninë që do të masë forcat ndaj Bylisit në një duel me dy akte, ku fati përfundimtar do të vendoset në Shkodër.
Kuqeblutë ishin pjesë e vazos së parë, çka u garanton avantazhin e rëndësishëm të zhvillimit të ndeshjes së kthimit në stadiumin “Loro Boriçi”, përballë tifozërisë shkodrane. Takimi i parë do të luhet më 11 shkurt në Ballsh, ndërsa sfida vendimtare më 4 mars në Shkodër.
Vllaznia synon të vijojë rrugëtimin në Kupë dhe ta shfrytëzojë maksimalisht faktorin fushë në ndeshjen e dytë, në një kompeticion që mbetet një nga objektivat kryesorë të sezonit për kuqeblutë.
Në çiftet e tjera të çerekfinaleve, shorti ka rezervuar përballje interesante, ku spikat derbi i kryeqytetit mes Tiranës dhe Dinamos, ndërsa Teuta do të sfidojë kampionët në fuqi të Egnatias. Një duel tjetër me interes është edhe ai mes Elbasanit dhe Partizanit, me ekipet e vazos së parë që do të luajnë ndeshjet e kthimit në shtëpi.
Çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë (Vllaznia):
11 shkurt 2026
Bylis – Vllaznia
4 mars 2026
Vllaznia – Bylis
Tifozëria shkodrane pritet të jetë një armë më vete në aktin e dytë, aty ku Vllaznia do të kërkojë biletën për në gjysmëfinale.
