Në sallën “Kardinal Mikel Koliqi” në Shkodër u zhvillua këtë fundjavë promovimi i librit “Veç drita s’paska mbarim”, i autores Luçia Zorba Kalaj. Aktiviteti u organizua nga Biblioteka “Zoja e Shkodrës” në bashkëpunim me “Botimet Fishta” dhe mblodhi studiues, lexues, dashamirës të librit dhe miq të familjes Zorba.
Autorja, bija e intelektualit dhe poetit të njohur Zef Zorba, ndan përmes faqeve të këtij botimi fragmente jete, përjetime familjare mbi qëndresën, kujtesën dhe forcën e shpirtit njerëzor.
Autorja shprehet se ky libër nuk është thjesht një përmbledhje kujtimesh, por një thirrje për reflektim dhe përçim vlerash, duke theksuar se drita, pavarësisht errësirave, nuk shteron kurrë.
Promovimi u shndërrua në një moment të veçantë kujtese dhe nderimi edhe për figurën e Zef Zorbës, një nga zërat më të veçantë të letërsisë shqipe, ndërsa libri “Veç drita s’paska mbarim” u vlerësua si një kontribut i rëndësishëm në ruajtjen e kujtesës kulturore dhe familjare.
