Edmond Mhilli lindi më 23 gusht 1947. Pas përfundimit të Institutit të Lartë të Arteve në vitin 1970, në degën e dramaturgjisë, ai nisi rrugëtimin e tij profesional si regjisor në Shtëpinë e Kulturës në Pukë. Në vitin 1976 u transferua në Estradën e Shkodrës, ku do të linte një gjurmë të fortë artistike, duke u afirmuar si një regjisor me vizion dhe ndjeshmëri të veçantë për humorin dhe skenën.
Gjatë viteve 1977–1978, Mhilli u specializua për regjisurë në Tiranë, ndërsa puna e tij 13-vjeçare në Estradën e Shkodrës u vlerësua me një sërë çmimesh në takime kombëtare të trupave simotra të Fierit, Durrësit, Tiranës e qyteteve të tjera. Në bashkëpunim me Lidhjen e Shkrimtarëve, ai organizoi në Shkodër aktivitetin tashmë të njohur “Ditët e humorit dhe satirës”, duke e kthyer qytetin në një qendër të rëndësishme të këtij zhanri.
Në vitin 1986, Edmond Mhilli u nderua me Çmimin “Çajupi” si regjisor më i mirë në shkallë kombëtare, një vlerësim që konfirmoi peshën e tij në skenën artistike kombëtare. Më 1992, ai u emërua drejtor i Shtëpisë së Kulturës, e cila më vonë do të shndërrohej në Qendrën Kulturore “Pjetër Gaci”, institucion që Mhilli e drejtoi për disa vite, duke e kthyer në një vatër aktive të jetës kulturore të qytetit.
Kontributi i tij u shtri edhe në fushën e medias. Në vitet 1998–2000, ai drejtoi televizionin Shkodra TV1, ku solli një frymë të re konceptuale artistike përmes spektakleve televizive, dokumentarëve për personalitete të shquara shkodrane si prof. Jup Kastrati, Danish Jukniu, Bik Ndoja e të tjerë, si edhe përmes pasurimit të fondit filmik dhe realizimit të materialeve promocionale.
Gjatë kësaj periudhe, Edmond Mhilli bashkëpunoi ngushtë edhe me Ansamblin Folklorik të Shkodrës, i cili u ftua në Festivalin Folklorik në Bursa të Turqisë, ku fitoi kupën e festivalit. Me të njëjtin ansambël, Shkodra u vlerësua me kupa edhe në festivale folklorike kombëtare, për mirëruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe kostumeve tradicionale.

Në vitin 2002, Mhilli u emërua regjisor i trupës dramatike të Teatrit “Migjeni”, ku realizoi vepra të rëndësishme si “Mirandolina” e Goldonit dhe “Ylli i mëngjesit” i O. Priftit. Ai vuri në skenë edhe dramën e tij “Një histori e thjeshtë”, ku rolin kryesor e interpretoi Zyliha Miloti, shfaqje që u prit shumë mirë si nga kritika ashtu edhe nga publiku.
Edmond Mhilli ishte gjithashtu pjesë e stafit të parë të Shoqërisë Françeskane “Illyricum”, ndërsa për kontributin e tij në art dhe kulturë u dekorua nga Kuvendi Popullor me Urdhërin “Naim Frashëri”, Klasi II.
Edmond Mhilli, u shua më 9 janar 2026, në moshën 78-vjeçare. Me një kontribut të gjatë dhe të shumëanshëm në teatër, estradë, televizion dhe kulturë institucionale, Edmond Mhilli do të mbetet një nga figurat më përfaqësuese të jetës artistike, veçanërisht në Shkodër.
