Besimtarët orthodoksë të pakicës serbo-malazeze kremtuan festën e Krishtlindjes në Kishën e “Trinia e Shenjtë”, në fshatin Vrakë të Malësisë së Madhe. Ceremonia fetare u zhvillua në një atmosferë solemniteti dhe lutjeje, duke bashkuar anëtarët e komunitetit për të shënuar një nga festat më të rëndësishme të besimit të tyre.
“Krishtlindja është festa më e rëndësishme për komunitetin tonë”, u shpreh përfaqësuesi i pakicës serbo-malazeze, Jakoja, i cili theksoi gjithashtu se kjo ditë mbart vlera të veçanta shpirtërore dhe tradicionale për besimtarët ortodoksë.
Në fjalën e tij, Jakoja vlerësoi edhe kushtet në të cilat jeton pakica serbo-malazeze në Shqipëri, duke nënvizuar rëndësinë e ruajtjes së identitetit kulturor dhe fetar ndër breza.
Vitet e fundit është vërejtur një tkurrje e numrit të banorëve të komunitetit serbo-malazez, si pasojë e emigrimit drejt vendeve të tjera, në kërkim të një jete më të mirë.
