Muzeu Historik i Shkodrës përbën një hapësirë aktive kulturore dhe edukuese, me synimin për t’u bërë më tërheqës veçanërisht për të rinjtë. Përmes organizimit të aktiviteteve me karakter historik dhe letrar, si edhe bashkëpunimeve me institucione të tjera kulturore dhe arsimore, muzeu po shndërrohet në një pikë referimi për ndërveprim dhe njohje të trashëgimisë.

Gjatë vitit 2025, rrjeti i muzeve të Shkodrës ka regjistruar rreth 35 mijë vizitorë, ku pjesën më të madhe të të huajve e kanë përbërë turistët nga vendet e Europës. Si pjesë e këtij rrjeti, Muzeu Historik i Shkodrës u ofron vizitorëve një udhëtim në kohë përmes eksponateve arkeologjike, objekteve etnografike dhe pikturave të mjeshtërve të mëdhenj shkodranë, duke pasqyruar identitetin dhe zhvillimin historik të qytetit.