Elizabeta Qyrsaqi (Dodmasej) është një nga emrat përfaqësues të shkollës shkodrane të violinës, një artiste që e ka ndërtuar karrierën e saj mbi disiplinën profesionale, përkushtimin pedagogjik dhe përfshirjen aktive në jetën koncertore brenda dhe jashtë vendit.

E lindur në Shkodër në vitin 1960, ajo kreu Shkollën e Mesme Artistike “Prenkë Jakova”, ku u formua në instrumentin e violinës. Për tetë vite radhazi mori mësim nga pedagogu i njohur Robert Prennushi, ndërsa pas transferimit të tij, vijoi studimet nën drejtimin e kompozitorit dhe violinistit Pjetër Gaci, një figurë qendrore e muzikës profesioniste shqiptare.

Që në vitet e hershme të formimit, Elizabeta Qyrsaqi (Dodmasej) u dallua si soliste në koncerte dhe konkurse, duke interpretuar vepra të Pjetër Gacit, si “Baladë”, “Prelud” dhe “Koncert për violinë e orkestër”, por edhe pjesë nga repertori botëror i autorëve si Paganini, Sen Sans dhe Johan Sebastian Bah. Ajo interpretoi nën drejtimin e dirigjentëve të njohur si Ermir Krantja dhe Jetmir Barbullushi, si edhe u aktivizua me formacionin e estradës nën drejtimin e Luan Barovës.

Studimet e larta i vijoi në Tiranë, ku përfundoi me rezultate shumë të mira Institutin e Lartë të Arteve, nën udhëheqjen e profesor Ibrahim Madhit. Gjatë kësaj periudhe, Qyrsaqi ishte pjesë aktive e Orkestrës Simfonike të Radio Televizionit Shqiptar, Orkestrës së Harqeve të Institutit të Lartë të Arteve, si dhe kontribuoi në muzikën e disa filmave dhe Festivaleve të Këngës.

Pas përfundimit të studimeve, ajo u emërua mësuese muzike në Shkollën e Mesme Artistike “Prenkë Jakova”, duke dhënë një kontribut të çmuar në edukimin e brezave të rinj. Paralelisht, vijoi angazhimet artistike në koncerte, festivale kombëtare të fëmijëve dhe shfaqje të ndryshme kulturore, duke qenë edhe spala në Orkestrën Simfonike.

Pas emigrimit në Greqi, Elizabeta Qyrsaqi (Dodmasej) u bë pjesë e Orkestrës së Harqeve të Akademisë Greke, ku mbajti rolin e violinës së parë. Në vitin 1997, ajo ishte violinë e parë në një grup prej 12 virtuozësh helenë, të kryesuar nga violinisti i shquar grek Jani Giorgadhi, duke shoqëruar tenorin me famë botërore nga Argjentina, Hoze Kurra.

Në vijim të aktivitetit të saj ndërkombëtar, ajo ka bashkëpunuar me këngëtarin, kompozitorin dhe saksofonistin Jorgo Kacaru, me artistin qipriot Mario Toka, si dhe ka realizuar tri shfaqje koncertore në Qipro me grupin e këtij të fundit.

Jeta dhe veprimtaria artistike e Elizabeta Qyrsaqit (Dodmasej) janë bërë burim frymëzimi për studiuesin Riza Lahi, i cili i ka kushtuar librin “Violina shkodrane dhe arti papushim nga buzuku grek”, duke e përfshirë atë në panoramën e trashëgimisë muzikore shkodrane.