Përfundimi i festave të fundvitit shënon rikthimin gradual të qytetit në normalitet, por për shumë individë kjo periudhë shoqërohet edhe me një ngarkesë të dukshme emocionale. Pas ditëve të mbushura me takime familjare, pushim dhe atmosferë festive, janari sjell qetësi, rutinë dhe shpesh një ndjesi rënieje të energjisë dhe motivimit.
Psikologia klinike Loreta Tomaj shpjegon se kjo gjendje emocionale është e zakonshme dhe lidhet me kontrastin mes periudhës festive dhe rikthimit në përditshmëri. Tomaj thekson se kjo situatë nuk duhet parë si problematikë alarmante, por si një fazë kalimtare e adaptimit psikologjik.
Pranimi i ndjesive të lodhjes apo mungesës së motivimit, komunikimi me familjarët dhe miqtë, si edhe kujdesi për shëndetin mendor, ndihmojnë në kalimin më të lehtë të kësaj faze, duke e bërë rikthimin në përditshmëri një proces më të natyrshëm dhe të qëndrueshëm.
