Kalaja “Rozafa” do të përfshihet gjatë vitit 2026 në një projekt rijetëzimi nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, i cili synon përmirësimin e disa aspekteve kyçe të këtij siti të rëndësishëm historik dhe turistik. Projekti parashikon ndërhyrje në hapësirat e parkimit, sinjalistikë orientuese, si edhe restaurimin e Muzeut të Kështjellës, duke rritur cilësinë e shërbimeve për vizitorët.
Lajmi u konfirmua nga drejtori i Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Shkodër, Helidon Sokoli, gjatë emisionit “Simfoni Festash” në RTSH Shkodra, ku ai theksoi rëndësinë e investimeve për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore.
Ndërkohë, viti 2025 është mbyllur si një vit i artë për kalanë “Rozafa”, e cila regjistroi një shifër rekord prej rreth 178 mijë vizitorësh. Ndriçimi i ri i instaluar i ka dhënë kalasë një pamje tërësisht të re, duke nxjerrë në pah madhështinë dhe vlerat e këtij siti arkeologjik, një prej simboleve më të rëndësishme të Shkodrës.
