Atmosfera festive ka pushtuar Shkodrën gjatë gjithë këtij muaji, duke e shndërruar qytetin në një hapësirë plot gjallëri, drita dhe emocione pozitive. Sheshet dhe rrugët janë mbushur me qytetarë, emigrantë të kthyer për festat dhe turistë, të cilët po i shijojnë maksimalisht ditët e fundvitit.

Qytetarët shprehen se këtë vit Shkodra ka ofruar një atmosferë të veçantë festive, ku përveç dekorimeve dhe aktiviteteve, ndihet edhe bashkimi familjar dhe gëzimi i ndarë me njëri-tjetrin. Për shumë emigrantë, rikthimi në qytetin e lindjes për festat mbetet një nga momentet më të veçanta të vitit.

Edhe turistët e huaj vlerësojnë mikpritjen, energjinë pozitive dhe klimën festive që ofron qyteti në këtë periudhë, duke e cilësuar Shkodrën si një destinacion të ngrohtë dhe autentik për festat e fundvitit.

Shkodra e mbyll kështu vitin mes dritave, festës dhe shpresës, me dëshirën e përbashkët që viti 2026 të sjellë më shumë shëndet, paqe dhe mbarësi për të gjithë.