Këngëtarja shkodrane Savjana Vjerdha ishte e ftuara e fundit e ciklit festiv “Simfoni Festash” në RTSH Shkodër, duke e mbyllur këtë seri emisionesh me një prani të ndjerë, reflektuese dhe plot emocione.

Pjesëmarrëse për herë të parë në Festivalin e Këngës në RTSH, Fest 64, Savjana e cilësoi kualifikimin në natën finale si një sukses të madh personal dhe profesional. Ajo ndau me publikun momentin pikant të interpretimit të saj në festival, kur këndoi zbathur pas disa peripetive me këpucët, një situatë që u kthye në simbol të forcës dhe përkushtimit artistik.

Gjatë bisedës në studio, këngëtarja theksoi se baladat janë zhanri ku ajo ndihet më e plotësuar emocionalisht, duke e konsideruar muzikën si një hapësirë të sinqertë shprehjeje. Vjerdha foli edhe për vitin 2025 si një vit ndryshimesh jo vetëm artistike, por edhe personale, duke pranuar se ka gjetur “personin e zemrës”, një mbështetje e rëndësishme në rrugëtimin e saj.

Teatri “Migjeni” zë një vend të veçantë në jetën e Savjanës, të cilin ajo e konsideron një pikë reference për formimin dhe ndjeshmërinë e saj artistike. Ajo nuk i anashkaloi sfidat e mjedisit artistik, duke theksuar se sekreti për t’i përballuar qëndron te karakteri, puna dhe besimi.

Në fund, Savjana Vjerdha ndau një moment intim shpirtëror, duke treguar se para çdo daljeje në skenë lutet dhe beson fort, ndërsa natën e ndërrimit të viteve ka zgjedhur ta kalojë pranë familjes, larg zhurmës, në një atmosferë reflektimi dhe mirënjohjeje.