Viti 2025 shënoi për Shkodrën ngjarje të rëndësishme kulturore, që e vendosën qytetin jo vetëm në qendër të vëmendjes kombëtare, por edhe në hartën europiane dhe botërore të artit, trashëgimisë dhe kujtesës kulturore.

Një nga momentet më historike për kulturën shqiptare ishte përfshirja e Arkivit të dinastisë Marubi në regjistrin ndërkombëtar “Memory of the World” të UNESCO-s. Arkiva e negativëve, dokumenteve dhe objekteve të Pietro dhe Kel Marubit u njoh si trashëgimi dokumentare me vlerë botërore, duke e kthyer Shkodrën në qytetin e parë në Shqipëri me një pasuri të tillë të regjistruar në “Kujtesën e Botës”. 

Ky vlerësim i jashtëzakonshëm konfirmon rëndësinë e Fototekës Marubi si dëshmi e rrallë e historisë, kulturës dhe jetës shoqërore shqiptare për më shumë se një shekull.

Në skenën teatrore, Shkodra u përfaqësua denjësisht në arenën ndërkombëtare. Trupa e Teatrit “Migjeni” mori pjesë në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrove “MITEM” në Budapest, një nga festivalet më prestigjioze të teatrit në Europë. Në skenën e Teatrit Kombëtar të Hungarisë u shfaq drama “Vizita”, me regji të Davide Iodice, e cila u prit me duartrokitje dhe vlerësime për nivelin artistik dhe interpretimin e aktorëve shkodranë.

Po kjo shfaqje mbylli vitin 2025 me një tur të gjerë në teatrot më të rëndësishëm të Italisë. “Vizita”, një dramë që trajton tema universale si paragjykimi, dhimbja dhe pranimi i tjetrit, arriti të krijojë një lidhje të fortë emocionale edhe me publikun e huaj, duke e kthyer teatrin shkodran në një zë të pranishëm në skenat europiane.

Viti 2025 solli edhe përjetime të forta muzikore për qytetin. Pas suksesit në Eurovizion, ku u renditën në vendin e 8-të, grupi “Shkodra Elektronike” u rikthye përpara publikut vendas me një koncert madhështor në sheshin para Bashkisë Shkodër. Performanca e Beatriçe Gjergjit dhe Kolë Lacës, e shoqëruar me hitet më të njohura dhe këngë të reja, e ktheu qendrën e qytetit në një skenë të hapur muzike dhe gjallërie.

Një tjetër ngjarje e veçantë artistike ishte koncerti i tenorit me famë botërore Saimir Pirgu në Shirokë. Orkestra Simfonike e Shkodrës dhe kori i fëmijëve krijuan një mbrëmje magjike, që u shoqërua me duartrokitje dhe ovacione, duke dëshmuar se arti i nivelit të lartë mund të marrë jetë edhe në hapësira natyrore.

Një nga mbrëmjet më të bukura artistike të vitit u zhvillua në Teatrin “Migjeni” me koncertin “Voyage, nga Shkodra në Paris”. Sopranoja me famë botërore Inva Mula, Genc Tukiçi dhe Elda Laro sollën një udhëtim muzikor që bashkoi kulturën franceze me traditën shkodrane. 

Një tjetër moment i rëndësishëm kulturor për Shkodrën gjatë vitit 2025 lidhet me Festivalin Mbarëkombëtar të Këngës për Fëmijë. Kënga fituese në kategorinë 9–14 vjeç të këtij festivali përfaqësoi zyrtarisht Shqipërinë në Eurosong Junior Contest, kompeticioni më prestigjioz evropian për të rinjtë. Ky hap historik u zyrtarizua përmes një marrëveshjeje bashkëpunimi mes Bashkisë Shkodër dhe Radio Televizionit Shqiptar, duke e kthyer festivalin tradicional të qytetit në një portë drejt skenës evropiane. 

Në fushën e trashëgimisë shpirtërore, viti u shënua nga përfshirja zyrtare e lahutës shqiptare në listën e trashëgimisë kulturore jomateriale të UNESCO-s, në kategorinë e elementeve që kërkojnë mbrojtje urgjente. Ky vlerësim ndërkombëtar e ngre lahutën në vëmendje globale dhe thekson domosdoshmërinë e ruajtjes së një prej simboleve më të rëndësishme të identitetit kulturor shqiptar.

Kështu, 2025-a për Shkodrën u mbyll si një vit i kujtesës, artit dhe përfaqësimit dinjitoz kulturor. Një vit që dëshmoi se tradita dhe krijimtaria bashkëjetojnë, duke e mbajtur qytetin si një nga qendrat më të rëndësishme kulturore të vendit dhe më gjerë.