Këngëtari Glerdit Turmetaj ka publikuar videoklipin zyrtar të këngës “Ta dish”, me të cilën u shpall fitues i edicionit të 10-të të Festivalit “Luleborë”. Videoklipi vjen i realizuar me motive autentike të Shkodrës, duke sjellë në plan të parë peizazhe, atmosferë dhe simbolikë që lidhen ngushtë me identitetin kulturor të qytetit.
“Ta dish” është një këngë që u vlerësua në festival për ndjeshmërinë artistike dhe interpretimin emocional, ndërsa realizimi vizual i saj forcon më tej lidhjen mes muzikës dhe qytetit që frymëzon. Projekti muzikor mban firmën e kompozitorit dhe tekshkruesit Leon Lekaj, si dhe të orkestruesit maestro Ilir Zoga.
Pak kohë më parë, kjo këngë u risoll edhe në një duet të veçantë me sopranon e njohur Inva Mula, një bashkëpunim që i dha materialit një dimension të ri artistik dhe u prit me interes të madh nga publiku.
Publikimi i videoklipit shënon një tjetër moment të rëndësishëm në rrugëtimin artistik të Glerdit Turmetajt, duke konfirmuar suksesin e “Ta dish” si një nga këngët më të spikatura të festivalit “Luleborë” dhe si një promovim dinjitoz i Shkodrës përmes artit muzikor.
