Me një mbrëmje të mbushur me tinguj klasikë dhe emocione të veçanta, holli i Teatrit “Migjeni” u shndërrua në skenën e aktivitetit të fundit artistik për vitin 2025, koncertit “Recital i pianistëve të vegjël”. Aktiviteti solli për publikun interpretimet e talentëve të reja të muzikës.

Recitali u organizua nga koncertmaestri Merald Shtalbi, pianist i njohur për përkushtimin e tij ndaj edukimit muzikor dhe formimit të brezit të ri të instrumentistëve. Përmes këtij koncerti, ai synoi të krijojë një hapësirë motivuese për fëmijët që hedhin hapat e parë në skenën artistike.

Mbrëmja u pasurua edhe nga prania e violinistes Blerta Muçaj, e ftuar speciale, ndërsa disa nga instrumentistët e vegjël ndanë emocionet e tyre për daljen në skenë dhe përvojën e fituar përpara publikut.

Ky recital përmbyllës për vitin 2025 u kthye në një shembull të pasionit, punës dhe vazhdimësisë së artit muzikor në Shkodër, duke përcjellë mesazhin se e ardhmja e muzikës klasike ndërtohet mbi talentin dhe përkushtimin e brezave të rinj.