Një nga prezencat më domethënëse në programin festiv “Simfoni Festash” në RTSH Shkodra ishte Ferdinand Jaku, mjek me një karrierë të gjatë dhe themelues i klubit të parë të futbollit për vajza në Shqipëri, “Juban Danja”. Përmes një bisede të sinqertë dhe reflektuese, ai ndau me publikun një rrugëtim jete të mbushur me sfida, përkushtim dhe vlera njerëzore.
Viti 2025 përkon me 20-vjetorin e themelimit të “Juban Danja”, një iniciativë që në fillimet e saj hasi vështirësi dhe paragjykime, por që sot konsiderohet një hap historik për sportin femëror në vend. Jaku kujtoi se në vitet e para, ndeshjet ndiqeshin nga 200–300 shikues, ndërsa krijimi i ekipit të vajzave kërkoi guxim dhe këmbëngulje. Në këtë rrugë, mbështetja e bashkëshortes dhe vajzave të tij ka qenë vendimtare.

Përveç kontributit në sport, Ferdinand Jaku ka një karrierë 36-vjeçare në mjekësi, ku ka shërbyer edhe si kryeinfermier i Urgjencës. Ai ndau përjetimet nga dy prej periudhave më të vështira për vendin, trazirat e vitit 1997 dhe pandemia e Covid-19 në vitin 2020, duke theksuar se mjekët dhe infermierët janë heronjtë e vërtetë të shoqërisë.
Një moment i veçantë i bisedës ishte edhe rrëfimi për një nga dhuratat më të çmuara që ka marrë, shenjtoren e Nënë Terezës, dhuruar nga Imzot Simon Kulli, ipeshkvi i ndjerë i Dioqezës së Sapës, simbol i besimit dhe humanizmit që e ka shoqëruar gjithmonë në jetën e tij.

Prezenca e Ferdinand Jakut në “Simfoni Festash” solli një histori frymëzuese për publikun, duke dëshmuar se përkushtimi ndaj njeriut, shëndetit dhe barazisë mund të ndërtojë trashëgimi që zgjasin në kohë.
