Rigersa Loka ishte një tjetër e ftuar simpatike e programit festiv “Simfoni Festash” në RTSH Shkodra, ku ndau me publikun reflektime nga një vit që ajo e përshkroi si të bukur dhe të rëndësishëm në rrugëtimin e saj artistik.
Këngëtarja foli për debutimin në Festivalin e 64-t të Këngës në RTSH, një përvojë që e konsideron të veçantë, pasi arriti të kualifikohej në natën finale me këngën “Albanian Heart”, një interpretim në shqip dhe anglisht që u dallua për mesazhin dhe origjinalitetin. Rigersa u ndal edhe te momenti që u bë viral gjatë finales, duke shpjeguar momentin e gjuhës së gjelbër për shkakun e përdorimit të karameleve kundër ngjirjes së zërit.

Gjatë bisedës në studio, ajo u shpreh kategorikisht kundër përfshirjes së inteligjencës artificiale në këngë, duke theksuar se muzika duhet të mbetet një shprehje e ndjenjës njerëzore, e përjetimit dhe e autenticitetit artistik. Sipas saj, arti humbet thelbin kur zëvendësohet nga teknologjia pa shpirt.
“Simfoni Festash” vijon të sjellë çdo mbrëmje histori, rrëfime dhe zëra të rinj e të konsoliduar të artit shqiptar, duke krijuar një hapësirë reflektimi dhe emocioni për publikun në prag të ndërrimit të viteve.
