Teatri “Migjeni” në Shkodër u kthye në një skenë festive dhe elegante, ku u zhvillua mbrëmja gala e fundvitit “Ndërmendje 2025”, një koncert që bashkoi emra të njohur të muzikës klasike shqiptare dhe formacione prestigjioze artistike. Në këtë mbrëmje të veçantë performuan sopranot Marigona Qerkezi dhe Ardita Meni, të cilat sollën interpretime të spikatura vokale.
Në skenë u ngjitën edhe pianistja Nikol Tuka, trombonisti Anton Guri dhe violinisti Ergi Papadhimitri, në rolin e koncertmaestrit. Koncerti u shoërua nga Kori i Qendrës Kulturore të Fëmijëve “Kujtim Alija” dhe Orkestra Simfonike e Shkodrës. Dirigjimi iu besua Elda Laros dhe Erio Daja, duke krijuar një harmoni të plotë mes orkestrës dhe solistëve. Mbrëmja u prezantua nga Evi Reçi e cila interpretoi këngën e njohur “Ave Maria”.
“Ndërmendje 2025” u realizua me mbështetjen e Bashkisë Shkodër dhe u prit me interes nga publiku, duke u shndërruar në një nga aktivitetet kulmore të fundvitit në qytet.
