Ghiti, një nga zërat e rinj më interesantë të skenës muzikore, ishte e ftuar në programin festiv “Simfoni Festash” në RTSH Shkodra, ku ndau me publikun historinë e saj personale dhe artistike, të mbushur me ndjeshmëri, përkushtim dhe kërkim të vazhdueshëm muzikor.

Këngëtarja foli për debutimin në Festivalin e 64-t të Këngës në RTSH, ku u prezantua me një këngë që mban vulën e grupit “Shkodra Elektronike”, një bashkëpunim që e konsideron të veçantë dhe formues në identitetin e saj artistik. Ajo rrëfeu emocionet e forta para ngjitjes në skenë, duke pranuar se ankthi ishte i madh, por se në momentin kur filloi të këndonte, gjithçka u zhduk “si me magji”.

Jeta e Ghitit aktualisht është e lidhur me Mantovën e Italisë, ku studion kanto jazz, një përvojë që i ka hapur horizonte të reja muzikore dhe i ka thelluar raportin me zërin dhe interpretimin. E rritur në një familje muzikantësh, ajo e ka trashëguar dashurinë për artin nga i ati, kompozitori Gjon Shllaku, i cili ka pasur një ndikim të drejtpërdrejtë në formimin e saj artistik.

Gjatë bisedës, Ghiti tregoi edhe historinë e lindjes së këngës “Okej”, një krijim me ngarkesë emocionale të veçantë, ku refrenin ia ka dedikuar gjyshit të ndjerë, duke e kthyer këngën në një rrëfim personal dhe intim. Ajo foli gjithashtu për angazhimet e saj gjatë vitit 2025 në Festivalin e Muzikës Moderne, duke e cilësuar këtë periudhë si një fazë të rëndësishme rritjeje.

Në fund, mesazhi i Ghitit për të rinjtë ishte i qartë: të dëgjojnë më shumë muzikë, të kërkojnë cilësinë dhe të mos kenë frikë të ndjekin zërin e tyre artistik. “Simfoni Festash” vijon kështu të sjellë në ekran histori autentike dhe zëra të rinj, duke i dhënë fundvitit nota emocioni dhe frymëzimi.